Ndikimi i Reformës në Drejtësi në Rritjen e Besimit në Gjykimin Civil

Projekti: Ndikimi i Reformës në Drejtësi në Rritjen e Besimit në Gjykimin Civil

Programi: Reforma në Drejtësi 

Donatori: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Aplikanti/Zbatuesi: Entela Memishaj Shehaj, Vangjel Kosta,  Zaka & Kosta Attorneys at Law

Paketa ligjore e Reformës në Drejtësi përfshin ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, të cilat u kryen duke pasur si qëllim primar përshpejtimin e proçesit gjyqësor, efiçencën e gjykimeve, eleminimin e seancave pa veprime. Pavarësisht qëllimit për të cilin këto ndryshime u implementuan në KPrC ishte e nevojshme vlerësimi i impaktit të këtyre ndryshimeve në praktikën gjyqësore civile shqiptare.

Seancat e shumta përgatitore, proçeset e gjata gjyqësore, zvarritja e proçesit gjyqësor janë elementë ende prezente në sistemin gjyqësor shqiptar. Proçesi i Vetting-ut të gjyqtarëve ka vështirësuar edhe më tepër gjykimin në kohë të çështjeve gjyqësore, për shkak të numrit të pakët të gjyqtarëve dhe numrit të lartë te çështjeve gjyqësore të regjistruara, shtuar këtu edhe ngarkesën e gjyqtarëve për shkak të angazhimit të tyre individual në proçesin e vetting-ut. Për më tepër, një faktor tjetër i paparashikuar, ka qënë dhe situata sizmike e tërmeteve në vitin 2019 dhe ajo e pandemisë në vitin 2020, e cila detyroi shtyrjen për disa muaj të veprimtarisë gjyqësore. 

Qëllimi i këtij studimi është inicimi i një nisme që do të ketë fokus në:

  • evidentimin e impaktit të vërtetë të ndryshimeve të ndodhura në KPrC, sipas Ligjit 38/2017 në drejtim të efiçencës së proçesit gjyqësor dhe shpejtësisë së gjykimit të çështjeve gjyqësore;
  • përpilimin e rekomandimeve të nevojshme për mënyrën e riparimit të mangësive që do të rezultojnë nga analiza e të dhënave të përftuara, përmes aktiviteteve të ndërmarra për këtë qëllim, varësisht rezultateve të nxjerra prej tyre, në drejtim të rishikimit dhe ndryshimeve të ligjit apo përmirësimin e zbatimit në praktikë të tij;
  • adresimin e rekomandimeve në instancat, institucionet dhe organizmat politikëbërës dhe/ose vendimmarrëse.

Në këtë raport jepen rekomandimet për marrjen e masave të ndryshme ligjore dhe administrative, që mendohet se mund të ndikojnë në përmirësimin e efiçencës së kohës gjyqësore në gjykimin civil.

Rekomandimet Faza I:

1. Parashikimit ligjor në ligj procedurial të “detyrueshmërisë së ndërmjetësimit si parakusht proçedurial për paraqitjen e padisë”

Do të shpreheshim pro instrumentit të detyrueshmërisë së “njoftimit paraprak të padisë nga vetë paditësi për palën e paditur”, duke e konsideruar këtë si një mundesi reale e ndërmjetësimit nëse ndërmjet palëve ka vullnet për ta përdorur këtë alternativë për zgjidhjen e mosmarreveshjes”.

2. Rritja e “ndihmës administrative për gjyqtarët”- nëpërmjet ndihmësve ligjorë ose stafit administrativ të kualifikuar në fushën e së drejtës

Eksperienca modeste e gjykatave të larta në Shqipëri (GJL dhe GJK) tregojnë sa efektive është kjo ndihmë për të rritur efiçencën e kohës gjyqësore. Të shfrytëzosh maksimalisht kohën e punës së gjyqtarëve vetëm për ato aktivitete administrative dhe proçeduriale që i përkasin ekskluzivisht gjyqtarit. Avantazhet e këtij propozimi janë:

3.  Rekrutimi i ndihmës-gjyqtarëve duhet të bëhet vetëm nëpërmjet një proçedure që anashkalon gjyqtarin apo kryetarin e gjykatës

Duhet të mbetet rregulli i përcaktuar në ligjin Nr. 96/2016, duke ndryshuar dispozitat që lejojnë ndihmësat edhe në gjykatën e shkallës së parë ( kemi patur deri tani modelin në gjykatën administrative të shkallës së parë), natyrisht me kritere më specifike ( ndihmësit e gjykatës së shkallës së parë nuk ka arsye t’u kërkohet përvojë paraprake pune prej 5 vitesh). Në këtë ligj duhet të kufizohet ndjeshëm eksperienca e domosdoshme për të aplikuar për rekrutim në Shkollën e Magjistraturës dhe përvoja të vihet si element karriere për të kaluar nga ndihmës i gjyqtarit në shkallën e parë për në gjykatën e apelit apo për të kaluar nga ndihmës i gjyqtarit në gjykatën e apelit në këshilltar pranë Gjykatës së Lartë.

4. Njoftimi i detyrueshëm elektronik i shoqëruar edhe me përfaqësimin e detyrueshëm me avokat në të gjitha shkallët e gjykimit

Është fakt i njohur që dështimet e njoftimeve gjyqësore vazhdojnë të mbeten një shkak i shpeshtë në dështimin e gjykimit në “afat të arsyeshëm”.Për rrjedhojë, detyrueshmëria e njoftimit elektronik duhet konsideruar si një element shumë i rëndësishëm proçedurial.

Kjo detyrueshmëri do të duhet të shoqerohej edhe me përfaqësimin e detyrueshëm me avokat në të gjitha shkallët e gjykimit (duke e shoqëruar me përjashtimet e kufizuara për vetë përfaqësim përsa i përket një grupi të caktuar çështjesh që mund të çonin në kufizim të aksesit në drejtësi). Detyrueshmëria e përfaqesimit me avokat ka qënë edhe një nga sugjerimet e Euralius në ndryshimet e proçedurës në vitin 2017 të cilat nuk u pranuan nga frika e cënimit të aksesit. Në kushtet që skema e ndihmës ligjore nga shteti është tanimë funksionale ky rrezik duhet të konsiderohet i tejkaluar. Megjithatë duhet parashikuar mundësia e vetëprfaqësimit si hapësirë e përjashtuese nëse rrezikohet aksesi për shkak të pamundesisë së përdorimit të ndihmës ligjore të ofruar nga shteti).

Duhet të fillohet të krijohen kushte të favorshme për zgjerimin e mundësisë ligjore dhe infrastrukturore të gjykimit on-line (gjënden eksperienca modeste edhe sot në Gjykatën e Tiranës dhe në Gjykatën e Posaçme). Nëse pranohet propozimi për gjykim të detyrueshëm on-line (p.sh në proçeset gjyqësore në të cilat provat e kërkuara nga palët janë vetëm shkresore ose me ekspert), si dhe në rastet e tjera që do t’i lihen në vlerësim vetë gjykatës, si dhe propozimi i përfaqësimit të detyrueshëm me avokat (me përjashtimet si më sipër), nuk do të paraqiste asnjë problem detyrueshmëria e njoftimeve elektronike. Ky parashikim ligjor do të krijonte mundësi për gjykatat që të implementonin projekte teknologjike të përshtatshme për efiçencen e njoftimeve elektronike.

5.   “Shkarkimin” e gjykatës nga aktivitete administrative, konkretisht aktiviteti i gjyqtarit për regjistrimin e OJF

Ndryshimi në legjislacion përsa i përket regjistrimit të kompanive të bisnesit nga gjykata në QKB, u bazua në argumentin e logjikshëm se gjykata është organi i ngarkuar nga Kushtetuta, kryesisht, për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Në këtë kontekst, gjykatës i ngarkohen edhe detyra të tjera për shkak të nivelit të lartë të besueshmërisë që ajo paraqet për interesin publik. Por, të paktën, përsa i përket monitorimit të publikimeve që lidhen me OJF-të ky interes nuk është kaq i lartë dhe për më tepër, është fakt i njohur publikisht që transparenca e domosdoshme e publikimeve që lidhen me aktivitetin e OJF_ve deri më tani vazhdon të jetë pothuaj e munguar (për shkak të nevojës së mbështetjes me infrastrukturën e nevojshme). Për rrjedhojë sot jemi në situatën që ky regjistër publik “de facto” nuk është publik.

6. Mungesë e detyrimit për të arsyetuar vendimin e gjykatës

Arsyetimi i vendimit të gjykates është i nevojshëm për:

  • të sqaruar palët e përfshira në proçes për arsyet në të cilat është mbështetur gjykata dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të kundërshtojnë (ankimojnë) vendimin në rastet kur kanë mospëlqim me mënyrën si ka vendosur gjykata, si dhe,
  • për t’i dhënë mundësinë gjykatës kontrolluese të vlerësojë këto argumenta në kuptim të zbatimit të ligjit.

Vendimet për “lëshimin e Urdhërit të Ekzekutimit”, janë vendime të një proçesi me vetëm një palë pjesmarrëse (kërkuesin). Për rrjedhojë, në rast se gjykata pranon kërkesën, ndaj këtij vendimi nuk mund të bëhet ankim. Për rrjedhojë arsyetimi i vendimit gjyqësor në këto raste është krejtësisht i panevojshëm për qëllimet për të cilat duhet te arsyetohet një vendim gjyqësor.

I. REKOMANDIMET  E STRUKTURUARA SIPAS PËRGJEGJËSIVE TË ORGANEVE

a. Ndërhyrje në legjislacion

• Ndërhyrje në proçedurën civile ( neni 141) për të parashikuar të detyrueshme regjistrimin në portalin elektronik të profesionistëve të ligjit, prokurore, avokate, eksperte, psikologe etj.
• Ndërhyrje në procedurën civile ( neni 158 “ç” ) për të parashikuar ndërmjetësim të detyrueshëm për disa kategori çështjesh (kryesisht të fushës familjare dhe të punës);
• Ndërhyrje në ligjin 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, për të parashikuar nivele të ndryshme të punonjësve të administratës gjyqësore në ndihmë të gjyqtarëve.

b. Rekomandime për Këshillin e Lartë Gjyqësor

• Të koordinojë bashkëpunimin me organet e administratës publike për të zgjidhur problemin e saktësisë së adresave në regjistrin publik të adresave;
• Të koordinojë krijimin e një portali elektronik për të mundësuar komunikimin elektronik të gjykatave me përdoruesit e saj, duke bashkëpunuar me përfaqesuesit e organizatave të profesioneve ligjore, (Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Urdhërat e ndryshme të Ekspertëve të fushave të ndryshme apo Psikologëve) për të mundësuar përdorimin e portalit nga këto përdorues;
• Të përcaktojë nivelet e ndryshme të punonjësve të administratës gjyqësore në ndihmë të gjyqtarit dhe përshkrimin e detyrave për secilin prej tyre.